5 gabimet më të shpeshta të marketingut të kontentit

Marketingu i kontentit është një nga mënyrat më të mira për të gjeneruar leads dhe për të rritur besueshmërinë e firmës në sytë e klientëve potencialë. Përmbajtja interesante është një nga arsyet kryesore përse njerëzit ndjekin firmat në rrjete sociale. Marketingu i kontentit kushton 63% më pak sesa marketingu tradicional dhe 3-fishon numrin e leads¹. Po, këto të dhëna janë tepër bindëse dhe mund t’ju bëjnë të përvishni mëngët për të krijuar kontent, por duhet treguar kujdes. Ne do ju tregojmë 5 gabimet që bëhen më shpesh te marketingu i kontentit.

1. Nuk fokusoheni te klienti

Një përqindje e lartë e uebsite-ve janë tepër të fokusuara te biznesi vetë. Ato ngjajnë si broshura të shpërndara në rrugë për ti treguar kalimtarëve rreth biznesit në fjalë. Interneti nuk funksionon kështu, e aq më pak marketingu i kontentit. Fokusohuni te klientët, ata ekzistues dhe potencialë, te dëshirat dhe nevojat e tyre. Krijoni kontent me ata në mendje. Kështu nëse atyre i duhet një shërbim si i juaji, ata do ju kujtojnë dhe do ju zgjedhin ju.

marketingu i kontentit shprehje boost
Fokusohuni te klientët, dëshirat dhe nevojat e tyre, për të krijuar kontent të vlefshëm.

2. Ndani kontentin një herë të vetme

Në një analizë të 100 milionë artikujve që ka kryer Buzzsumo, është dalluar se ri-shpërndarja e artikujve dhe kontentit rrit angazhimin me 686%²! Ne hasim qindra oferta dhe reklama në ditë. Ndonjëherë titulli i një artikulli mund të na tërheqë në pamje të parë, por harrojmë ta lexojmë. Një kod promocional mund të na duket tepër i volitshëm, por harrojmë ta përdorim. Mos u ndjeni keq që po përdorni kontent “të vjetër”. Shpesh, kontenti në fjalë mund edhe mos të ketë arritur fare një pjesë të audiencës suaj. Plus, përsëritja është mëma e dijes.

3. Nuk masni KPI

Çfarë nuk vlerësohet, nuk përmirësohet. Ju nuk mund të kuptoni nëse strategjia juaj e marketingut të kontentit po funksionon nëse ju nuk njihni matësit kyç të performancës (KPI). Jo shumë vetave i pëlqen statistika, e dimë, e ndoshta procesi i matjes dhe analizimit të rezultateve ju duket i pakëndshëm. Mos u shqetësoni, ka dhjetëra programe që mund të përdorni që do e kryejnë këtë punë për ju. Disa KPI që duhet të keni parasysh janë:

  • Trafiku në faqe
  • Norma e klikimit CTR
  • Koha mesatare e shpenzuar në faqe
  • Angazhimi
  • Ndarje në rrjete sociale të kontentit tuaj
  • Leads të gjeneruar
  • Shitjet e gjeneruara

Matja e KPI ndihmon për të kuptuar audiencën dhe lehtëson optimizimin e kontentit bazuar në të dhëna konkrete.

4. Jeni të sforcuar

Bota e internetit dhe rrjetet sociale na kanë prekur të gjithëve në një mënyrë apo një tjetër. Edhe prindërit tanë e dinë çfarë janë meme-t, “fake news”, blogerët etj. Kjo njohje e fenomeneve virtuale na ka dhënë super fuqinë e të dalluarit kur dikush po tregohet fallco online. Disa marka dhe persona ndjekin trendet, duke harruar që jo gjithmonë ato përshtaten me industrinë apo personalitetet e tyre.

Ju shihni se kompanisë X po i sjell një numër të konsiderueshëm fansash dhe klientësh kontenti për të qeshur. Menjëherë ju hapni Google dhe kërkoni ‘barcaleta’ me shpresën se implementimi i të njëjtës strategji do sjellë të njëjtat rezultate për ju. Strategjitë diferencojnë nga biznesi në biznes dhe nga audienca në audiencë. Nëse ju njiheni për seriozitetin tuaj dhe lloji i shërbimit është gjithashtu i ngjashëm, humori nuk do lërë përshtypjen pozitive që ju dëshironi. Çfarëdo trendesh apo strategjish të ndiqni për marketingun e kontentit, sigurohuni që ato përshtaten me brand-in dhe zërin tuaj në treg.

5. Harroni ftesën

Një miku juaj ju thotë se një shoqe e përbashkët do festojë ditëlindjen. Sigurisht nëse ajo nuk ju fton vetë, ju nuk shkoni. Nëse ju krijoni kontent me vlerë, por asnjëherë nuk ftoni vizitorët të kryejnë veprimin që dëshironi, ata nuk do e bëjnë. Doni të ndjekin faqen tuaj? Thuajeni këtë. Mendoni që do i pëlqente një shërbim i juaji, i cili është me ofertë për momentin? Propozojeni atë. Ofroni konsulta? Përmendeni këtë mundësi. Kur nuk ftoni një lexues të kryejë hapin e rradhës, shpesh ju humbisni një mundësi për një klient.

Marketingu i kontentit është një mënyrë tejet efektive për të rritur biznesin tuaj. Evitoni gabimet e mësipërme dhe krijoni kontent me vlerë për të tërhequr klientë dhe për të qenë lider në fushën tuaj.

Krijoni Fushatën e Parë në Boost
Provo Platformën!